Këngëtarja e njohur Shakira ka zbuluar qasjen e saj të rreptë ndaj përdorimit të teknologjisë nga fëmijët, duke vendosur kufizime të qarta për t’i mbrojtur ata nga ekspozimi publik dhe varësia digjitale. Në një intervistë të rrallë për televizionin spanjoll, artistja theksoi se djemtë e saj nuk përdorin telefona dhe se qasja në platformat digjitale është plotësisht e kontrolluar. Një nga rregullat më të forta është ndalimi total i YouTube. Sipas saj, kjo bëhet për t’i mbajtur larg hapësirave virtuale dhe për t’i mbrojtur nga komentet dhe ekspozimi mediatik.
“Ata nuk kanë nevojë të kërkojnë emrin e tyre, as timin apo të babait”, u shpreh Shakira gjatë intervistës. Qëllimi i saj është që fëmijët të mësojnë të dallojnë vetë çfarë mund t’i dëmtojë, pa qenë të ndikuar nga mendimet e të tjerëve në rrjet. Këngëtarja beson se kufizimi i teknologjisë ndihmon në shmangien e problemeve si ankthi, frustrimi dhe varësia që shpesh lidhen me përdorimin e tepërt të pajisjeve digjitale. Ajo shtoi se ndjek një filozofi të ngjashme edhe për veten, duke shmangur leximin e komenteve në rrjetet sociale dhe duke u fokusuar vetëm te reagimet pozitive nga ekipi i saj.
Shakira ka dy djem, Milan dhe Sasha, nga lidhja e saj me ish-futbollistin e Barcelonës, Gerard Piqué. Me këtë qasje, ajo synon të rrisë fëmijë të mbrojtur nga presioni i botës digjitale dhe më të vetëdijshëm për ndikimin e saj.
sfidanti.al

