Zvicra e “sakatuar” e Shaqirit kërkon fitoren në fushën e Italisë!

Xherdan Shaqiri pritet të udhëheqë sulmin dhe Zvicra multietnike të kërcënojë Italinë në Romë, në ndeshjen vendimtare në grupin eleminator të Botërorit. Kërkohet fitorja, por zviceranët kanë shumë mungesa si Xhaka, Elvedi, Zuber, Embolo, Seferoviç, Kobel dhe Fasnaht. Italia ka gjithashtu mungesa, 4 (Zaniolo, Pelegrini, Verrati, Imobile), por trajneri Roberto Mançini ka më shumë mundësi për të zgjedhur te kampionët e Europës.

Zvicra do të jetë me trajnerin e ri, Murat Jakin, ndërsa në “Olimpiko” do të ketë përkrahjen e mbi 1 500 tifozëve. Jakin thotë se ekipi i tij do të frymëzohet nga ajo që bëri Suedia në 2017 duke e eleminuar Italinë në plej of e duke mos e lejuar të shkonte në Kupën e Botës në Rusi. “Na duhet vetëm fitorja nëse duam që të kualifikohemi, – thotë ai, – do të synojmë që ta bëjmë. E dimë se jemi mundur 0-3 në Europian, por tani është ndeshje tjetër dhe atmosfera është më e mirë”. Zvicra ka trajner tjetër në krahasim me Europianin.

Sfidanti.al