Zmijanin e “harroi” Shqipëria por jo Arabia me Al Nassr dhe Cristiano Ronaldon

Hysen Zmijani që pothuajse tre dekada më parë i shënoi një gol kombëtares së Çekosllovakisë, në prag të ndeshjes me Republikën Çeke, duhej të ishte një nga dhjetra ish-ët e Kombëtares që meritonte të ulej në radhën e parë të stadiumit “Arena Kombëtare” por ashtu me modestinë e tij, ai e kaloi atë moment me festën e fitores, ashtu siç bënë edhe miliona shqiptarë të tjerë.

Por nëse në skuadrën kuqezi nuk kujtohen edhe aq shpesh për ikonat e së shkuarës, në Arabinë Saudite i kujtojnë me nostalgji e i respektojnë me nderime mbretërore. I tillë është rasti i ish-lojtarit shkodran që ishte i ftuari special i ish-skuadrës së tij në Arabinë Saudite ku ka ndjekur një ndeshje të Champions League. Tifozët e kanë përshëndetur në shkallë, drejtuesit e kanë vlerësuar në zyra ndërsa Cristiano Ronaldo e ka respektuar si një nga ish-lojtarët që kanë ndihmuar këtë klub të bëhet një markë ndërkombëtare pasi Zmijani është aktivizuar me këto ngjyra në vitin 1993.

Nga Pirro Bardhyli