Një nga golat e shënoi pikërisht në portën kuqezi. Edon Zhegrova shkëlqeu dhe u vlerësua meritueshëm në miqësoren Shqipëri-Kosovë, zhvilluar në Zvicër, por edhe u kritikua, ndërsa tani ka nisur një fushatë në favor të përfaqësueses së vet. Djaloshi 21-vjeçar, lindur në Gjermani, por prodhim i sistemit futbollistik të Kosovës e të Belgjikës, i ka bërë thirrje lojtarëve me origjinë shqiptare që luajnë në Zvicër, që të zgjedhin Kosovën.
Një thirrje për të mos pranuar Zvicrën apo Shqipërinë, dhe që është diçka krejt normale. “Kam komunikuar me të gjithë lojtarët shqiptarë që luajnë në Zvicër, – është shprehur sulmuesi, – dhe u kam thënë atyre që të zgjedhin Kosovën. Natyrisht, zgjedhja u takon atyre”. Vetë Zhegrova zgjodhi Kosovën në vitin 2018, dhe për ekipin me fanelat blu ka zhvilluar 17 ndeshje e ka shënuar 2 gola.
Për klubet, ai e nisi me Flamurtarin e Prishtinës dhe me Prishtinën, për të kaluar tek Standardi i Liezhit në Belgjikë, e pastaj tek Sent Truideni e, më në fund, te Genku. Ky klub e ka huazuar tek Bazeli në Superligën e Zvicrës, ku Zhegrova ka luajtur edhe si titullar, ndonëse nuk dihet nëse do të vazhdojë në këtë skuadër, apo do të kthehet në Belgjikë.
Sfidanti.al