Alfonso Dejvisi, djali i vuajtur i Afrikës, sot yll dhe “klloun” tek Bajerni!

Një nga analistët e njohur të mediave gjermane, Raimund Hinko i “Bildit”, ia kushtoi një koment të tij pikërisht talentit të tij të ardhur nga Kanadaja. Nën siglën e njohur “Bajerni im” (Meine Bayern), Hinko përzgjodhi Alfonso Dejvisin si personazhin e krijimit të tij të fundit, duke treguar sesi ai lindi në Afrikë, jetoi në një kamp refugjatës në Ganë duke u larguar nga lufta civile në Liberi, pastaj shkoi në Edmontoin e akullt në Kanada, ku prindërit rropateshin në punë, ndërsa ai edhe pse i vogël i ndërrtonte pelenat motrës edhe më të vogël. Sesi mamaja i thoshte ta fshinte mirë pjatën, sepse ishte me fat, ndërsa shumë të tjerë nuk kishin mundësi të hanin.

Më pas, si shumë djem të klasave të varfëra, Alfonso eci përpara me futbollin, duke shfrytëzuar talentin dhe shpejtësinë e tij të rrufeshme. Me 35.3 km në orë, bën shaka Hinko, Dejvisi mund t’i bëjë që t’i zërë i ftohti ata që i ndodhen pranë. Bajerni e mori për 18.8 milionë euro kur ishte 17 vjeç, jo 10 milionë sa tha Salihamixhiçi, por gjithsesi për Hinkon ky ishte një transferim i madh. Alfonso ka edhe një aftësi tjetër, atë që i bën njerëzit për të qeshur, dhe në Gjermani e quajnë me dashamirësi “kllouni”. Hinko bën sërish shaka duke thënë se prania e Dejvisit bëri që të përfundonte duke qeshur takimi i parë mes portierëve rivalë tek Bajernit, Nojer, Ulraih dhe Nubel. Analisti gjerman thekson se ai do ta vlerësonte në të ardhmen Alfonson më shumë sesa 222 milionë eurot e paguara për kartonin e Nejmarit, nëse jo si futbollist, si aktor padyshim!

Sfidanti.al