Vieri: Italianët të flasin me Bufonin para Shqipërisë

Kristian “Bobo” Vieri është një nga figurat më të kërkuara nga televizionet italiane dhe ato botërore për të komentuar Europianin gjerman, por në pritje për të zbuluar se ku do të punojë këtë verë, ish-sulmuesi i Kombëtares “Axurre”, i ftuar në një event në Parma, ka folur për shumë tema të nxehta aktuale. Sigurisht që kryefjala ishte Europiani i Italisë, por pa dyshim që edhe mënyra sesi mund të ringrihet Juventusi me Tiago Motën, çështja Kieza, apo edhe rikthimi i Kontes në Serinë A, te Napoli, premtojnë surpriza të mëdha.

ITALIA – Lidhur me aventurën e Kombëtares së Italisë në Europian, Vieri i ka idetë shumë të qarta: “Realisht nuk e pashë Italinë kundër Turqisë, pasi kurrë nuk kam humbur kohë duke parë miqësoret. Madje nuk do e shoh as atë me Bosnjën, pasi këto janë ndeshje ku duhen provuar detaje të ndryshme, duhet kuptuar çfarë shkon e jo dhe nuk vlen rezultati. Ah po, nga ndeshja e parë me Shqipërinë ndryshon puna. Nga ajo sfidë duhet nisur së shënuari e fituari. Lojtarët e kombëtares dhe Spaleti kanë një luks të madh që quhet ‘Xhanluixhi Bufon’. Xhixhi ka luajtur 4 Botërorë, disa Europianë, prandaj nëse duan që të karikohen, të largojnë presionin, është e thjeshtë… Skuadra të shkojë të flasë me Bufonin sepse një person si ai, vetëm ta dëgjosh të bën të ndihesh mirë. Te kush kam shpresa për sulmin? Te Xhanluka Skamaka. Në dy muajt e fundit ka shënuar gola pa fund dhe në këtë Europian të mendojë që vetëm ka ndërruar bluzë dhe të vazhdojë të bëjë atë që di të bëjë më mirë, të shënojë, pasi duket që e ka golin në gjak”, përfundoi Vieri.

 

sfidanti.al