Venger krahason Mbapenë me Pelenë, dhe bën një parashikim për PSG-në!

Njëri ia mbush syrin madje më shumë sesa mendohet, të tjerët nuk i vë “ende në numër”. Arsen Venger, përkundër halleve që i kanë rënë mbi kokë tek Arsenali, gjen kohën për të “vendosur ndonjë skedinë parashikimesh”. Ky i radhës ishte për Kilian Mbapenë dhe Paris SG.

“Mbape është Peleja i ri, – tha në mënyrë shumë euforike Venger, – ai është jashtëzakonisht inteligjent, ka një karakter të jashtëzakonshëm dhe një besim të jashtëzakonshëm në vetvete. Ai mund të bëhet lojtari më i mirë në botë sepse ka edhe karizmë, edhe karakter”.

Gjithsesi, francezi nuk ishte kaq shumë i entuziazmuar me klubin që mori Mbapenë për 180 milionë euro, Paris Sen Zhermenin. “Unë ende mendoj se Barcelona është skuadër më e mirë se PSG-ja, – tha Venger, – ende nuk e di se përse Nejmar u largua nga Barça, pasi ai nuk i ka dhënë asnjëherë arsyet. Ndoshta për para, ndoshta sepse mendon që PSG do të jetë klubi i së ardhmes, ndoshta sepse dëshiron të jetë ai në qendër të vëmendjes dhe të bëhet lojtari më i mirë në botë. Ta shohim”.

Sfidanti.al