Venger “in”, Guardiola “out”, Arsenali shkon në finalen e Kupës

Mund të jetë në ditët e tij më të zeza të karrierës, por sipas mënyrës së tij mbetet fitues. Arsen Venger nuk mund të ishte më i lumtur në jetën e tij sesa pas fitores së papritur në gjysmëfinalen e Kupës së Anglisë ndaj Mançester Sitit. Suksesi erdhi në momentin më të vështirë të tij tek Arsenali, kur një pjesë e madhe e tifozëve kërkonin “kokën” e tij, por pikërisht ai mund t’u japë një tjetër trofe.

Në 27 maj, Arsenali do të luajë derbin e Londrës ndaj Çelsit në “Uembli” dhe Venger mund të fitojë një tjetër trofe. “Jam shumë krenar për lojën që zhvilluam dhe shpirtin që treguam në fushë, – tha trajneri pas ndeshjes, – mendoj se u dhamë një përgjigje shumë të mirë atyre që nuk besonin tek ne. E qartë se ishte një ndeshje shumë e vështirë, por besoj se ne e merituam fitoren”.

Fitorja e londinezëve ndaj skuadrës së Pep Guardiolës u arrit pikërisht nga goli i “armikut” më të madh të Vengerit brenda Arsenalit, Aleksis Sançez, pasi kileni realizoi në minutën e 111-të, me përballjen që shkoi në kohën shtesë. Sergio Aguero kaloi në epërsi Sitin në 62’, por Naço Monreal barazoi shpejt, në 72’. Formacioni i Guardiolës e mbajti shumë më tepër topin në zotërim, dhe gjuajti shumë më tepër drejt portës, por në kuadrat arritën shumë pak gjuajtje.

Nuk dihet nëse ky sukses dhe trofeu që mund të vijë mund të jenë të mjaftueshëm për Vengerin, por gjithsesi do ta forconin shumë pozitën e tij tek Arsenali.

Sfidanti.al