Vedat Muriqi, dëshira e re e Lacios dhe e Igli Tares, shqiptari drejt Serisë A!

Shkëlqimi i kohëve të fundit ka bërë t’i shtohen admiruesit.  Shumëkush e dëshiron Vedat Muriqin, sulmuesin e Kosovës, dhe pas klubeve në Angli, ja ku del kandidatura e radhës, këtë herë në Serinë A. Është Lacio që pëlqen futbollisn 25-vjeçar të Fenerbahçes, që po vazhdon me paraqitjet shumë të mira në përfaqësuese dhe në Superligën e Turqisë.

“La Gazeta delo Sport” informon se klubi italian e cilëson Muriqin si njeriun e duhur për të plotësuar vijën e sulmit për sezonin e ardhshëm, dhe drejtori sportiv, Igli Tare, është gati të nisë bisedimet me Fenerbahçen, nëse nuk e ka bërë deri tani. Kartoni i shqiptarit të Kosovës arrin në 20 deri në 25 milionë euro, sipas vlerësimeve të mediave europiane, një shumë për të cilën Lacio mund të bëjë bisedime, por që në fund të fundit nuk është aspak e lartë.

Muriqi cilësohet si tepër i besueshëm për moshën e tij optimale, fizikun e fuqishëm e shtatlartësinë 1.94 metra, si dhe cilësitë teknike që e ndihmojnë të shënojë vetë, dhe të asistojë shokët e skuadrës. Njerëzit pranë tij deklarojnë se synimi i tij është që të luajë në Itali, ndërsa Fenerbahçe do të jetë e detyruar të pranojë, për shkak se ka 600 milionë euro borxhe, dhe rrezikun që të mos jetë në Europë sezonin e ardhshëm. Muriqi ka shënuar 20 gola e ka shërbyer 8 asistë në 30 ndeshje për Kosovën dhe Fenerbahçen.

Sfidanti.al