Uzuni shpreson të jetë nga minuta e parë në Champions ndaj Juventusit!

Një udhëtim prej më pak se dy orësh për sfidën e radhës. Kaq iu desh Ferencvaroshit për të shkuar nga Budapesti në Torino, dhe në rrugëtimin me çarter ishte edhe Myrto Uzuni, futbollisti shqiptar që synon ndeshjen e parë si titullar në Champions. Nuk është një vizitë turistike kjo në kryeqendrën e Piemontit, në këmbët e Alpeve, por një duel i madh ndaj Juventusit me shpresën për të mos u kthyer duarbosh.

Do të luhet në stadiumin “Alianc”, ndër më modernët e Italisë, përballë një ekipi me potencial të madh, dhe me një Ronaldo si gjithnjë në formën e jetës. Uzuni ka qenë i pafat gjatë fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve, pasi infektimi me koronavirus e la jashtë dy sfidave të para, ndërsa hyri vetëm si zëvendësues në ndeshjen e fundit, pikërisht ndaj Juves në Budapest.

Sulmuesi i kombëtares shqiptare ka qenë tepër i vlefshëm për kampionen e Hungarisë duke shënuar dy gola në raundet eleminatore, pra duke ndihmuar Ferencvaroshin të arrinte në grupe pas 25 vjetësh. Ekipi i tij është me moral të mirë, sepse disa lojtarë ndihmuan edhe Hungarinë të kualifikohej për në finalet e Europianit.

Juventusi, ndërkaq, e ka detyrim fitoren, ndonëse nuk është se rrezikon. Torinezët kanë 6 pikë pas suksesit 4-1 në Hungari, dhe një fitore, shoqërua me një rezultat pozitiv të Barcelonës në Kiev ndaj Dinamos, mund t’i jepte kualifikimin. Trajneri Andrea Pirlo shprehet se “duhet të fitojmë për t’iu afruar kualifikimit”.  Italianët kanë mundësi të shumta në sulm, dhe jo vetëm me Ronaldon, por edhe me Alvaro Moratën, Paulo Dibalën apo Dejan Kulushevskin.

Sfidanti.al