Etrit Berisha, sa pranë gjigandëve, por tashmë në “terrin” e Serisë B!

Edhe pse luan në Serinë B, i përket elitës. Nuk ka dyshime kush për Etrit Berishën që po vazhdon të shkëlqejë me Spalin e Ferrarës, përveçse ka fituar shiritin e kapitenit në kombëtare, por trajneri kuqezi Edi Reja zbulon më shumë. Tekniku italian flet për mediat italiane, saktësisht për të përditshmen “Il Resto del Karlino”, duke treguar prapaskenat se gjatë verës atë e kërkuan edhe Milani e Juventusi.

“Spali bëri një goditje të madhe duke arritur ta mbante Berishën, – tha Reja, – ai meritonte të luante në Serinë A. Kishte bisedime mjaft konkrete me Milanine Juventusin, përveçse me Specian pranë fundit të afatit të transferimeve, por situatat nuk u zhbllokuan”. Milani besohet se ka menduar për Berishën për shkak të pasigurisë për të ardhmen e Donarumës, ndërsa Juventusi ndoshta kërkonte një siguri për portën, duke pasur Sheznin si titullar.

Këtë sezon, portieri shqiptar ka pritur 2 penallti, dhe siç raportojnë mediat italiane ai e ka këtë një pikë të fortë personale. Ka pritur 10 penallti në karrierë në 37 gjuajtje, me një mesatare tepër të respektuar 27 për qind, që e vendos në nivelin e portierëve më të mirë të botës. Ndër lojtarët e shquar që janë mundur nga 11 metra larg prej Berishës janë edhe Ikardi apo Dibala.

Sfidanti.al