Uzuni, Balaj dhe Kaçe, goli në Europë di të flasë edhe shqip!

Në Hungari, Austri dhe në Greqi, këto ishin koordinatat shqiptare në fundjavën europiane të futbollit. Myrto Uzuni, Bekim Balaj dhe Ergys Kaçe ishin autorë golash, dhe skuadrat e tyre patën përfundime pozitive. Uzuni realizoi në kampionatin hungarez, në fitoren 3-1 të Ferencvaroshit ndaj Dioshgjorit, duke qenë autor i golit të tretë. Kjo ishte rrjeta e tij e dytë në Superligë, dhe e pesta në sezon duke përfshirë dy në raundet eleminatore të Championsit dhe një në fazën e grupeve.

Balaj nuk pati mundësi të ishte kaq shumë protagonist, edhe pse ka qenë pak ditë më parë. Sulmuesi shkodran shënoi golin e katërt në fitoren 4-0 të Shturmit të Gracit në fushën e Austrisë së Vjenës, dikur një skuadër e madhe austriake dhe europiane. Në 28 nëntor, Balaj kishte shënuar golin e fitores në një tjetër ndeshje të Bundesligës austriake. Së fundmi, edhe pse jo për nga rëndësia, Ergys Kaçe. Mesfushori, që ende cilësohet si pjesë e “rrethit të kombëtares”, nisi reagimin e Arisit të Selanikut në fushën e Atromitosit. Vendasit kryesonin 2-0 dhe ai shkurtoi diferencën, ndërsa në fund, ndeshja e Superligës greke u mbyll 2-2.

Sfidanti.al