Sezoni i tij mbetet i shkëlqyer, por jo ai i ekipit të tij. Tomas Strakosha është vërtet një simbol i Lacios, por nuk ka ndërmend të premtojë besnikëri të pakushtëzuar, madje këtë e ka bërë të qartë. Mediat italiane njoftojnë se portieri i kombëtares shqiptare nuk dëshiron të vazhdojë karrierën tek lacialët nëse nuk arrihet kualifikimi në Champions.
Pavarësisht nga niveli i lartë i 24-vjeçarit, dhe nga pritjet e tij shpëtimtare, Lacio nuk po arrin të ketë ritmin e duhur për të arritur objektivin e madh. Humbja 1-2 brenda në “Olimpiko” ndaj Kievos ia pakësoi edhe më shumë shanset, duke e zbritur në vendin e 8-të me 52 pikë, 4 pikë poshtë zonës Champions.
Strakosha ndihet i sigurt se mund të kalojë në një klub që luan në Ligën e Kampionëve, dhe lajmet këto ditë kanë qenë se për të interesohet Totenhemi. Anglezët janë në gjysmëfinale të Championsit, dhe ndoshta trajneri Poçetino po kërkon një alternativë për portierin dhe kapitenin Hugo Joris.
Nuk dihet se çfarë roli mund të luajë drejtori sportiv i kryeqytetasve, Igli Tare, gjithashtu shqiptar, për të bindur patriotin e tij që të mos largohet. Natyrisht, shqiptari ka detyrime ndaj Lacios, ku ndodhet që në vitin 2012, pra kur ishte 17 vjeç, klub që i hapi dyert në Itali dhe që e bëri të njohur.
Gjithsesi, karriera e tij është së pari meritë personale e vetja, ndërsa tashmë ndihet i sigurt se mund të luajë në nivele edhe më të larta. Kjo, padyshim do të ndihmonte jo vetëm Strakoshën, por edhe ekipin përfaqësues të Shqipërisë.
Sfidanti.al