Liverpuli dhe pushteti i lojtarëve, si u arrit fitorja në Kardif!

Ishte një fitore e ndryshme nga të tjerat. Liverpuli kishte arritur shumë suksese këtë sezon, dhe jo më kot pretendon titullin në Angli dhe Championsin, por kjo në fushën e Kardifit, mund të quhet e veçantë. Në pushimin e ndeshjes, futbollistët nuk u mjaftuan me fjalimin dhe sqarimet e zakonshme të trajnerit Jurgen Klop, por u mblodhën rreth njëri-tjetrit, duke u motivuar e duke diskutuar sesi duhej arritur suksesi.

Kur dolën në fushë në pjesën e dytë, barazimi 0-0 ndryshoi shpejt, ndeshja u fitua dhe kreu i renditjes në Premier Ligë u rifitua. Mesfushorët Vajnaldum dhe Xhejms Milner ishin autorët e golave, në një përballje të vështirë në fushën e Kardifit, në Uells, e zorshme jo vetëm sepse vendasit rrezikojnë të bien nga kategoria. Jurgen Klopi sqaron.

“Nuk jam aspak i lumtur me faktin që Kardifi e kishte lënë fushën pa e ujitur, pra e kishte lënë të thatë, në mënyrë që të dëmtonte lojën tonë, – tha trajneri gjerman, – gjithsesi, ne ia dolëm, dhe duhet të them se kjo ishte për meritë të futbollistëve të mi. Ishin ata që e nxorrën veten nga balta, dhe nuk patën nevojë për mua. Pretendojnë titullin dhe Championsin, por nuk do të mendojmë për këto gjëra. Do të përqëndrohemi vetëm për ndeshjen e së premtes ndaj Hadërsfildit, ndërsa më pas do të mendojmë që të pushojmë”.

Faqet sportive të gazetave angleze, i bënë jehonë fjalëve të Klopit. “Deili Ekspres”: Klopi lejon lojtarët që të marrin fuqinë, trajneri i Liverpulit vlerëson futbollistët që diskutuan mes tyre në pushimin e ndeshjes, duke u motivuar për fitoren! “Star Sport” pohon po këtë: Pushteti i lojtarëve! Plaku i artë Xhejms Milner festoon golin me penallti, duke imituar një ecje me shkop!

Liverpuli iu përgjigj siç duhet fitores së arritur të shtunën nga Mançester Siti, 1-0 ndaj Totenhemit, dhe u rikthye në krye të renditjes.

Të kuqtë kanë 88 pikë ndaj 86 të ekipit të Pep Guardiolës, që ka një ndeshje më pak të luajtur. Fati i titullit ndoshta do të vendoset këtë fundjavë, në derbin e Mançesterit, në fushën e Junajtidit në “Old Traford”. Nëse Siti fiton pritet të shpallet kampion, nëse nuk ia del, titulli mund të quhet i Liverpulit.

Sfidanti.al