Tuhel: Çelsi meritonte kualifikimin, arbitri “u zgërdhi” me Ançelotin

Skuadra e tij ishte vetëm 10 minuta larg një mrekullia të paparë në historinë e Ligës së Kampionëve. Çelsi kryesonte 3-0 në “Santiago Bernabeu” të Madridit deri në 80’ ndaj Realit vendas, dhe u desh goli i Rodrigos për kohën shtesë, e pastaj ai i Benzemasë për kualifikimin e Madridit. Trajneri i Bluve të Londrës, Tomas Tuhel, u shpreh krenar për paraqitjen e ekipit që kishte humbur 1-3 ndeshjen e parë çerekfinale në Angli. “Ne jemi shumë të zhgënjyer, por edhe shumë krenarë, – tha gjermani, – në fund mund të themi se ishim pa fat. Ne meritonim të kalonim pas kësaj ndeshjeje dhe kësaj paraqitjeje, por nuk qe e thënë. Fati nuk ishte me ne në këtë ndeshje. Në total, në të dyja ndeshjet, ne ishim më lart se Reali. Jam shumë i zhgënjyer që arbitri nuk shkoi të kontrollonte (në monitor) golin e anuluar (të Alonsos). Jam shumë i zhgënjyer që arbitri pati një takim të këndshëm me trajnerin kundërshtar duke qeshur e bërë shaka. Mendoj se është një kohë shumë e gabuar ta bësh këtë, pas përfundimit të ndeshjes”.

Sfidanti.al