Tomas Myleri, bavarezi 24 karatësh nuk e kupton jetën pa Bajernin!

Në shtëpinë e tij ka edhe një garazh makinash, por si një banor i thekur i Landit të tij, ai ka edhe më të dashur, një stallë me kuaj. Tomas Myler jo më kot e mishëron frymën tradicionale bavareze, dhe jo më kot rinovon vazhdimisht me Bajernin e Mynihut. Në një Land njëkohësisht gjerman dhe katolik ai është një tradicionalist, ndonëse i moderuar, siç mund të jenë sportistët.

Në krah të gruas së tij, Lizës, ai fotografohet shpesh pranë kalit të saj, Dejvit, si dhe të veshur me kostumet popullore të krahinës. Liza është një kalorëse profesioniste. Pas rinovimit të fundit të kontratës, tabloidi “Bild” shkruajti se arsyeja e dytë më e rëndësishme ishte “shtëpia dhe kuajt”. i lindur në qytezën Pal (Pahl), në rrethinat jugperëndimore të Mynihut, ai cilësohet sipas zhargonit gjerman një “figurë identifikuese” e klubit dhe e Bavarisë, një lloj simboli.

Tomas Myleri të kujton humorin bavarez, një lloj origjinal humori që nuk ngjan me të tjerët, po ashtu dialektet e zonës, që e ngatërruan aq shumë një gazetar amerikanojugor pas Botërorit 2014. Ai ndoshta ka po atë kulturë si bavarezët e tjerë, që nuk e shkel kurrë radhën, nuk porosit kurrë birrë çeke në një birrari gjermane, dhe nuk mban një Mazerati në vend të një BMV-je. Nëse është kështu, atëherë ai qenka një djalë i vërtetë i klasës punëtore, pasi në Mynih BMV X5 është makinë e punëtorëve, ndërsa elita që kritikohet si ofenduese, mund të mbajë makinat italiane Ferrari, Lamborgini apo Mazerati.

Gjithsesi, për Bajernin, më shumë rëndësi ka kontributi i Mylerit që ka shënuar gati 200 gola në karrierë, dhe ka ndihmuar skuadrën në fitoren e 14 trofeve të rëndësishëm.

Sfidanti.al