Nuk dihet nëse vazhdon ta pijë duhanin aq rëndshëm sa përherë, por është e sigurt se nga futbolli nuk heq dorë lehtë. Mauricio Sarri është një njeri që “do të vdesë me idetë e tij”, siç thoshte dikur një ish-lojtar i Napolit, por tek Juventusi është e pamundur të kesh një vdekje të tillë. Duhet të përshtatesh, të tillë janë emrat që ke në skuadër, dhe i tillë presioni për të fituar. “La Gazeta delo Sport” shkruan se trajneri juventin po mendon sesi do ta vendosë skuadrën në fushë nëse Seria A rifillon, dhe ka menduar një rol të ri për Gonzalo Higuinin.
Sulmuesi i tij i preferuar (e pati tek Napoli, Çelsi e tani tek Juvja) mund të jetë në rolin që quhet “9 e gjysmë”. Po ashtu, uellsiani Aron Ramsej, që nuk pati një sezon të lehtë, pritet të jetë titullar, ndërsa skema do të ishte 4-4-2. Pra, jo një “tridhëmbësh” me Ronaldon-Dibalën e Higuainin, por ndoshta mund të jenë që të tre në fushë, me këtë të fundit me pozicion të ndryshuar. Sarri e di se nga ai pritet me patjetër titulli, edhe pse i është kërkuar Championsi. Me 8 kampionate të fituar radhazi, Juventusi nuk mund të pranojë të humbë dominimin, ndryshe ç’kuptim do të kishte largimi i Alegrit dhe afrimi i Sarrit?
Sfidanti.al