Tirana fitore për vajzën e Fredi Alvarez, kurse Teuta barazon me Vorën mes polemikash. Këto kanë qenë karakteristikat e dy ndeshjeve të orës 13:30 të javës së 21-të të Abissnet Superiore.
Tirana dhe Flamurtari e shtynë për të dielën ndeshjen, sepse futbollistit bardheblu Fredi Alvarez i ndodhi fatkeqësia më e madhe në familje, ndarja nga jeta e vajzës së mitur. Për rrjedhojë është mbajtur një minutë heshtje në nder të saj, si dhe tifozët “Tirona-Fanatics” kanë hapur një parullë të madhe “U prehsh në paqe engjëlli Irina”.
Pranë fotografisë së saj futbollistët e të dy skuadrave kanë vendosur tufa me lule. Ndeshja më pas, nën drejtimin e Indrit Myrtjes, ka nisur e qetë, ndërsa rasti i parë ishte për bardheblutë me Ernest, por Aleksovski shpëton Flamurtarin. Vlonjatët pretendojnë për penallti në të 28’, teksa Maksuti është rrëzuar në zonë, teksa ka reklamuar një goditje të parregullt nga Vera.
Por për gjyqtarët dhe sistemin VAR gjithçka ishte e rregullt. Flamurtari ushtron presion dhe tenton golin me Diavara në të 31’, Herald Markun në të 36’ dhe Maksutin në të parën minutë shtesë, por pa rezultat. Në pjesën e dytë, Oshafit ia ka mohuar golin shtylla. E megjithatë kuqezinjtë nuk e ulin ritmin e lojës, ndërsa Tafas ka shmangur rrezikun e Herald Markut dhe të Leo Melos.
E në momentin më të mirë të vlonjatëve, Mysloviç kalon Tiranën në avantazh, një gol për vajzën e Fredi Alvarez. Edhe një herë tjetër Flamurtari ka pretenduar për penallti, por edhe në këtë rast, gjithçka ishte e rregullt për gjyqtarët dhe sistemin VAR. E në përfundim, 1-0 për Tiranën, që ngjitet në kuotën e 17 pikëve, kurse Flamurtari mbetet në kuotën e 18 pikëve.
Në Vorë, gjithçka është mbyllur në barazim 1-1, mes shumë polemikash për penalltinë e Teutës në fundin e lojës. Vora e ka gjetur shpejt golin e avantazhit e kjo në të 25’ me anë të Kasallës, që arrin të mposhtë Selmanin.
Mundohet të kundërpërgjigjet Teuta, por pa rezultat, ndërkohë që ka dhe tensione që kanë ardhur nga takat e ngritura të kundërshtarëve, ndërsa Votlai ndëshkohet me të verdhë. Por në fakt Vora ka pretenduar për më shumë dhe e verdha tashmë është për Shehin. Pjesa e dytë nis e qetë, ndërsa në të 67’ Vora ka kërkuar penallti, kjo pas përplasjes së Votlait me Dakën, veçse Ferataj pretendon për penallti.
Vora më pas ka mbetur me dhjetë futbollistë, kjo pas ndërhyrjes së Tabakut ndaj Kuqit. Fundi i lojës, me gati 15 minuta vonesë, është krejtësisht I nxehtë. Jepet penallti për Teutën, teksa më parë ishte akorduar pozicion jashtë loje. E gjyqtari Ferataj ka ndërruar mendje dhe pa shkuar ta shohë në sistemin VAR jep penallti.
Pas shumë polemikash, lojtarët e Vorës kanë dalë nga fusha në shenjë proteste. Dhe vetëm pas disa minutash janë kthyer në lojë, ndërsa Maçolli ka kthyer në gol penalltinë për Teutën. Në përfundim 1-1, teksa Teuta ngjitet në kuotën e 27 pikëve, kurse Vora në 24 pikë pas 21 javësh kampionati.
sfidanti.al

