Tirana e Flamurtari nuk i ndahen krizës, fiton mërzia në “Selman Stërmasi”

Nëse Kukësi-Partizani ishte për kartolinë, Tirana-Flamurtari nuk vlente as si letër anonime që hidhet poshtë derës. Dy ndër skuadrat historike të futbollit shqiptar nuk e mposhtën dot krizën që i ka mbërthyer këtë sezon dhe po i zhyt gjithnjë e më poshtë. Fitoi mërzia në “Selman Stërmasi”, në një ndeshje ku pati edhe raste për shënim, por ku në përgjithësi loja shkaktoi përgjumje. Për fat kishte shumë pak tifozë që ta vuanin një pasojë të tillë.

Me formacione disi të sajuara, dhe pa shumë moral tiranasit dhe vlonjatët shtynë me vështirësi 90 minutat, plus disa të tjera shtesë, duke ndarë vetëm nga një pikë, me barazimin 0-0. Tirana nuk arriti dot as tek Luftëtari, pavarësisht se Laçi i ndaloi një ditë më parë gjirokastritët. Bardheblutë e Josës kanë 28 pikë ndaj 29 të lojtarëve të Milinkoviçit.

Më keq Flamurtari. Shpëtim Duro duhet të ketë mbetur i kënaqur nga pika, por jo nga loja, ndërsa realiteti është i ashpër. Me vetëm 21 pikë, kuqezinjtë janë kandidatë kryesorë për të rënë nga kategoria, dhe natyrisht që ata qajnë 6 pikët e hequra nga kokëfortësia e presidentit të tyre, pasi nëse do t’i kishin ato, tani do të ndodheshin në pozitë shumë më të mirë.

Sfidanti.al