Është 24 herë kampione e vendit, por për momentin nuk ngjan aspak e tillë. Tirana pësoi një tjetër humbje, të katërtën në këtë sezon të Superligës, këtë herë në Durrës ndaj Teutës. Një nga ekipet e vendeve të fundit (tashmë i 7-ti në tabelën me 10 skuadra) u imponua me lojë dhe me rezultat duke arritur një sukses të logjikshëm dhe plotësisht të merituar. Portieri Ilion Lika, që e shpëtoi dy herë në pjesën e parë, nuk mundi të bënte mrekullinë e tretë kur Hila kaloi durrsakët përkata pak minuta pas pushimit.
Skuadra e drejtuar nga trajneri kampion (ende i tillë), Mirel Josa, nuk mundi të ishte i barabartë me atë të Maganit, dhe pati vetëm një rast për gol, atë të lojtarit të saj më të mirë, Afrim Takut, që goditi shtyllën. Disfata e la Tiranën në kuotën e 27 pikëve, tashmë 8 pikë larg vendit të tretë, dhe vetëm 2 pikë larg Luftëtarit që i kërcënon edhe vendin e katërt. Në 19 takime, tiranasit kanë arritur vetëm 6 fitore dhe kjo flet shumë, pavarësisht se në stol kanë qenë dhe mbeten trajnerë shumë të mirë ,fillimisht Daja e tani Josa.
“Duhet të reagojmë dhe të dalim nga kjo gjendje, – u shpreh Josa pas takimit, – nuk duhet të justifikohemi, ndonëse problem ka pasur dhe ka. Nuk është vetëm konflikti me tifozët, janë probleme në vazhdimësi. Kampionati është i gjatë dhe ka shumë ndeshje, por shqetësohem për faktin sesi do të ringrihemi”.