E gjithë kjo rrëmuja e rikonstruksioneve, apo marrjes në ruajtje të dy stadiumeve kryesore të vendit ka penalizuar vetëm skuadrat që brez pas brezi kanë qenë pronare të këtyre ambjenteve. Pas vetëm pesë ndeshjeve të luajtura, tapeti 150 mijë euro i stadiumit “Loro Boriçi” shfaqi nevojën për ndërhyrje, ndërsa Vllaznia u degdis në fushën sportive “Reshit Rusi”, një ambjent me bar artificial, jashtë çdo parametri. Edhe në prag të ndeshjes së Kosovës me Kroacinë dhe Kombëtares tonë me Spanjën, Vllaznia u “urdhërua” ta devijonte kalendarin dhe të luante në Korçë me Skënderbeun, kur duhet të ndodhte e kundërta.
Të njëjtin problem ka edhe Elbasani. Pronarët e tanishëm të “Arenës” po kujdesen për të mos e dëmtuar tapetin dhe kanë përjashtuar skuadrën e Muharrem Dostit, ndërkohë që Partizani do ta luajë normalisht ndeshjen e vet ndaj Skënderbeut, programuar për të djelën. Elbasani – Sopoti është shtyrë për t’u zhvilluar në një datë të pacaktuar, pasi vetëm vendasit dhe skuadra tjetër e të njëjtës prefekturë është vlerësuar se ka gjasa ta prishë fushën e stadiumit të Elbasanit. Ndërkohë administrator i klubit verdheblu shprehet i zhgënjyer, por edhe i pafuqishëm për të ndikuar tek vendimi i Federatës.