Shpesh ndodh që kënaqet me atë që ka bërë, dhe nuk ka si bëhet ndryshe. Një njeri si Kristiano Ronaldo që prej 13 vjetësh krijon titujt e mëdhenj dhe kryesorë të mediave, do të donte aq shumë të shijonte atë që ka arritur. Tepër i famshëm, tepër i pasur, tepër simpatik, por gjithsesi të gjitha këto nuk mjaftojnë. Që niveli i tij të mos bjerë tek “i mirë”, numri 7 i Realit kërkon edhe një element tjetër në mozaikun e tij.
“Futbolli më ka mësuar që të duhet të përdor njerëzit negativë për t’u motivuar, – thotë ai në një intervistë për “Revistën e Trajnerit” (Kouç Magazin), – kam me të vërtetë nevojë për armiqtë e mi”. Cilët janë këta armiq dhe çfarë bën Ronaldo me ta? Portugezi nuk sqaron, por besohet se në “çetën” armike janë gazetarët që e kanë kritikuar, personalitetet që i kanë dalë kundër, trajnerët apo futbollistët e mëdhenj rivalë. Natyrisht, nuk mund të ishin njerëz të zakonshëm të cilët nuk kanë mundësi të dalin në gazeta apo televizione.
Besohet se CR7 imagjinon fotografinë e tyre përpara portave kur gjuan topin nga aksionet e lojës, penalltitë apo goditjet e dënimit. Kjo, me siguri, i jep më shumë energji që të shënojë gol. Gjithsesi, intervista për revistën nuk ishte vetëm për negativët. Po trajnerët?
“Ferguson ka qenë si baba për mua, – kujton 31-vjeçari, – Zidan bën pjesë tek të mëdhenjtë, pasi di të krijojë marrëdhënie të shkëlqyera me skuadrën në dhomën e zhveshjes, ndërsa Murinjo ka qenë i vetmi që ka analizuar gjithçka në detajet më të vogla”. Kush ka qenë mbrojtësi më i vështirë për të? Eshli Koul, thotë Kristiano, ai nuk më linte të merrja frymë.
Çfarë do të thotë Mesi për të? “Nuk jemi miq, por e respektojmë njëri-tjetrin, nuk ka asnjë rivalitet ndaj nesh, i vetmi rivalitet ekziston vetëm nëpër media”, – përfundon Kristiano Ronaldo.
B. Kuka