Nuk doli përpara tyre që në fillim, por duroi deri në fund. Zhoze Murinjo kishte një plan sjelljeje për tifozët e Mançester Junajtidit, dhe suksesi ndaj Sitit e ndihmoi. Me të përfunduar përballja e Kupës së Ligës, trajneri doli në fushën e “Old Trafordit” dhe me gjuhën e trupit u kërkoi falje rreth 76 000 tifozëve në stadium. Me të dalë përpara tribunave, ai formoi me gishtat e duarve rezultatin 0-4 të humbjes së pësuar në fushën e Çelsit.
Menjëherë më pas, ai bashkoi duart në formë lutjeje, uli pak kokën duke kërkuar falje. Natyrisht, “marifeti” ia vlejti dhe përgjigja e tifozëve ishte e shkëlqyer. Për t’u siguruar që ia kishte arritur qëllimit, Murinjo theksoi përpara mediave se “kurrë nuk kam parë tifozë të tillë, kaq të zjarrtë në mbështetje të skuadrës së tyre”. Dy pikë të fituara prej tij.
Të gjithëve u kujtohen veprimet e Murinjos kur ishte tek Porto, Çelsi dhe Interi. Vetëm në Londër, ndoshta, i lejoi vetes të sillej me arrogancë ndaj klubit (unë jam kampion i Europës, ndërsa Çelsi ka 50 vjet pa fituar titullin, pra unë jam paksa special, – tha gazetarëve), ndërsa kudo gjetkë u soll ndryshe. Tek Interi bëri duart sikur po e prangosnin duke sulmuar federatën, tek Reali i futi gishtin në sy Vilanovës (tifozët ultras: Murinjo, gishti yt na tregon rrugën).
Legjendari përpara tij në “Old Traford”, Sër Aleks Ferguson ishte ndryshe. Një herë, skocezi kritikoi ashpër tifozët pas një ndeshjeje në shtëpi duke thënë se “dukej sikur i kishte zënë gjumi në stadium”.
B. Kuka