Igli Tare ka folur për herë të parë si drejtori i ri sportiv i Milanit në një intervistë për kanalet zyrtare të klubit kuqezi. Në fjalën e tij, ai ka ndarë disa nga përvojat personale që e lidhin me klubin, si dhe objektivat dhe sfidat që e presin në këtë rol të ri.
“Milani ka një histori të lavdishme. E kam ndjekur që kur isha fëmijë, kujtoj kohën e Uilkins dhe Hatelei. Familja ime, të gjithë xhaxhallarët e mi ishin tifozë të Milanit, gjithmonë ka qenë një lidhje e fortë dhe nuk e kam fshehur atë edhe kur u bëra lojtar ose menaxher,” tha Tare.
Ai kujtoi disa nga momentet personale që e kanë lidhur me klubin, përfshirë debutimin në Serie A kundër Milanit dhe lindjen e fëmijës së tij të parë gjatë një ndeshjeje Milan-Bologna. “Është një lidhje shumë emocionale,” shtoi ai.
Tare theksoi se e ndjen përgjegjësinë e madhe që vjen me këtë rol dhe se synon të kontribuojë që Milani të kthehet në nivelet më të larta. “Do të përpiqem të jap gjithçka që kjo histori të bëhet realitet edhe në të ardhmen. Është një klub me një histori të rëndësishme, duhet të jemi të mirë në komunikimin e këtij projekti me të gjithë menjëherë,” deklaroi ai.
Në lidhje me zgjedhjen e trajnerit të ri, Tare tha: “Duhet të fillojmë në mënyrën e duhur, ka shumë pritshmëri: ka qenë një sezon shumë i gjatë me shumë zhgënjime. Erdha me ide të qarta, me shumë entuziazëm dhe dua t’ia transmetoj këtë të gjithë ambientit të Milanos.”
Duke folur për natyrën konkurruese të klubit, ai u shpreh: “Duhet të jemi të qartë për një gjë: Milani është një klub ku kërkon rezultate menjëherë, është një klub ku duhet të fitosh. E kam kuptuar këtë dhe jam gati ta përballoj. Lojtarët që vijnë të luajnë për Milanin duhet ta kuptojnë menjëherë se kjo fanellë ka një peshë të rëndësishme, ky stadium ka një peshë të rëndësishme. Nëse jemi të mirë në transmetimin e kësaj te lojtarët tanë, mendoj se do të kemi bërë një hap të parë drejt fitores.”
Për mënyrën e punës dhe qasjen ndaj këtij detyrimi të ri, Tare deklaroi: “Dua t’i bashkohem këtij klubi me shumë përulësi, por mbi të gjitha me mundësinë për të dhënë mbështetjen time për të siguruar që ky klub të kthehet në krye të futbollit italian dhe botëror. Futbolli ka evoluar shumë vitet e fundit, çdo pesë vjet gjërat ndryshojnë shumë: duhet të jesh i mirë në kontakt me këtë evolucion. Megjithatë, duhet ta bëjmë një gjë shumë të qartë: gjithçka lidhet me rezultatin përfundimtar. Dua të shoh një ekip që djersitet për fanellën, që është i uritur dhe dëshiron të fitojë. Dua të shoh atë ‘San Siro’ që shpërthen nga gëzimi i tifozëve. Do të bëj gjithçka, do të jap gjithçka nga vetja për ta bërë këtë të ndodhë.
Ndihem shumë i emocionuar dhe shumë i përmbushur. Kam realizuar një ëndërr shumëvjeçare. Për mua do të thotë shumë, do të thotë shumë.”, deklaroi Igli Tare.
sfidanti.al