Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, ka folur përpara rrugëtimit të ri që Kombëtarja shqiptare do të nisë në UEFA Nations League. Tekniku kuqezi tregoi ndër të tjera për eksperiencën në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024”, si dhe komentoi zgjatjen e marrëveshjes me FSHF për të vazhduar projektin e nisur në drejtimin e Shqipërisë. Gjithashtu, trajneri Silvinjo foli edhe për ndeshjet e UEFA Nations League, ndërsa shtoi se objektivi i së ardhmes është kualifikimi në Botëror.
Europiani i Gjermanisë, i keni analizuar edhe njëherë ndeshjet, tashmë me mendje të ftohtë, çfarë do të kishit bërë ndryshe?
– Ka ardhur momenti të flasim për gjithçka ka ndodhur në këtë një vit e gjysmë punë. Një cikël i parë i rrugëtimit që kemi bërë bashkë. Një rrugëtim shumë i bukur, të shkosh të luash për herë të dytë në finalet e një Europianit, është diçka historike. E dimë të gjithë, edhe njerëzit, që nuk është e lehtë të arrish deri atje. Por kur arritëm gjetëm një grup të fortë dhe të vështirë. Por unë isha i kanaqur për këtë. Të përballesh më Italinë dhe Spanjën që fitoi Europianin si dhe Kroacinë një skuadër e jashtëzakonshme. Në fakt pas ndeshjeve është e lehtë të bësh analizën. Sigurisht ka gjëra që duhet të ishin bërë ndryshe, por unë shkova me mendimin që të përfaqësonim sa më mirë një komb. Edhe lojtarëve ju kisha thënë, me çdo kusht duhet të ishim në lojë në çdo ndeshje. Me Italinë bëmë mirë, ndeshja me Kroacinë edhe mund të ishte fituar. Ky është një kampionat i vështirë dhe me shumë rreziqe. Çdo gabim është një gol i pësuar. Jam shumë i kënaqur me futbollistët por sigurisht, gjithmonë ka diçka për të përmirësuar. Ndryshuam modulin për ndeshjen e dytë duke shtuar një lojtar në mesfushë, por në përgjithësi kemi bërë shumë mirë.
Në aspektin personal por edhe si trajner i Kombëtares, çfarë keni përfituar, cilat janë mësimet që morët nga finalet e Europianit?
– Kemi mësuar shumë, eksperiencë e shkëlqyer. Si bashkëpunëtor kam qënë në Kombëtaren e brazilit në Botërorin e Rusisë. Edhe Europiani ka një nivel të njëjtë. Ne kemi një skuadër të re dhe kjo është e bukura. Kemi luajtur kundër lojtarëve dhe skuadrave shumë të forta. Të shkosh atje është një luks, për ne ishte çmenduri. Në aspektin personal mësova shumë. Çdo gabim të kushton shumë sepse niveli i garës është shumë i lartë. Lojtarët e dinin mirë këtë, që nuk lejohet të gabosh sepse pëson dhe del menjëherë jashtë loje. Është një eksperiencë e madhe edhe për lojtarët. Niveli i përqendrimit ishte shumë i lartë.
Pas finaleve erdhi edhe rinovimi i kontratës. Besoj se keni dashur të përqendroheni fillimisht tek Europiani e më pas të mendonit për rinovimin që besoj se nuk ishte diçka e vështirë për t’u arritur?
– Jo, absolutisht jo. Në fakt ishte një dëshirë e Federatës dhe e jona, por ishte Europiani. Kemi logjikuar mirë të dyja palët, si Federata ashtu edhe ne si staf. Mendimi jonë ishte të punonim fort për Europianin, për të shmangur edhe gabimin më të vogël, në mënyrë që të mos humbnim përqendrimin. Gjëja më e rëndësishme në atë moment, ishin futbollistët, ishte një komb i tërë, ishin 3 milionë këtu e 10 milionë jashtë Shqipërisë. Për ne si staf është një avantazh të vazhdojmë punën përpara pas një rezultati të mirë. Sot ne nuk nisemi nga zero me Kombëtaren shqiptare. Sot ne nisemi nga më shumë se 50% njohje të ekipit dhe lojtarëve. Tashmë duhet të përmirësohemi, të shkojmë pas shumë futbollistëve të tjerë që mund të na shërbejnë. Ne jemi të kënaqur pasi njohim Tiranën, Federatën, njohim shqiptarët, kështu që rinovimi për ne ishte i lehtë.
Tashmë rinis puna, por me ndeshjet e Nations League. A keni një ambicje për këtë garë, apo këto ndeshje do të shërbejnë si përgatitje për kualifikueset e Botërorit, që është një qëllim shumë më i rëndësishëm se Liga e Kombeve?
– Ka një ëndërr, një dëshirë dhe një objektiv për të shkuar në Botëror. Por ndërkohë kemi një kompeticion të rëndësishëm si Liga e Kombeve. Unë nuk e konsideroj si një moment kalimtar për të marrë eksperiencë apo për t’u përgatitur. Objektivi i parë është të përmirësojmë skuadrën, të gjejmë lojtarë të rinj. Kjo është Kombëtare, dhe si e tillë është e hapur. Nëse ka një lojtar që na shërben, atëherë ai do të vijë. Liga e kombeve është e vështirë, dhe kemi një grup të vështirë me Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Çekinë. Ne do të luftojmë për çdo pikë. Nuk do të jetë e lehtë por ne do të futemi në çdo ndeshje për të fituar.
Pas UEFA Nations League vijnë kualifikueset e Botërorit. A keni një plan për të ndryshuar diçka në skuadër, ndoshta mënyrë tjetër loje, apo mentalitet tjetër? Cili është mendimi juaj tani për tani?
– Unë mendoj se ka gjithnjë vend për përmirësim. Përtej modulit, ne kemi një bazë të mirë, praktikisht 70 apo 75% të grupit e kemi, por kemi lojtarë që vijnë me shumë eksperiencë pas Europianit. Lojtarët kanë kuptuar një gjë që për mua, për Federatën dhe për Shqipërinë, përtej modulit, eksperiencës, lojtarëve, cilësisë teknike, ajo që nuk negociohet është zemra dhe shpirti i skuadrës. Lojtarët e dinë që këtë duhet ta kenë si në stërvitje ashtu edhe në ndeshje sepse kjo na çoi në Europian. Dëshirën dhe shpirtin e skuadrës e kanë kuptuar edhe njërëzit, që shpirti dhe zemra është aty në fushë.
sfidanti.al