Sylvinho në prag të Letonisë: Të bëjmë kujdes

Shqipëria përballet nesër, 10 qershor, me Letoninë në Riga, në kuadër të kualifikueseve të Botërorit. Trajneri i kuqezinjve, Sylvinho iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, në konferencën për shtyp, para ndeshjes që do luhet të martën. Sylvinho foli për pikëpyetjet e formacionit por edhe “urinë” e kuqezinjve për të “rrëmbyer” 3 pikët në transfertën letoneze, pavarësisht se kundërshtari nuk është i këndshëm, të cilat do të përforconin vendin e dytë të kombëtares shqiptare në Grupin K.

“Ndeshja e dytë është më e vështirë në aspektin e rikuperimit dhe menaxhimit. Këtë e thonë edhe të tjerët. Nuk kemi vendosur akoma për formacionin. Do kemi edhe stërvitjet e fundit, ku mund të kemi një ide më të qartë. Kemi një avantazh në Kombëtare, sepse kemi 24 lojtarë, nga ku mund të zgjedhim. Kemi hapësira, për të zgjedhur mes lojtarëve të ndryshëm. Kemi mundësi të zgjedhim dhe do të vendosim nesër.

Manaj është një lojtar me eksperiencë. Është titullar te Kombëtarja. E njoh që te Interi. Përgjegjësia është e imja. Pas përgatitjeve që bëjmë, jam unë ai që vendos se kush gjuan penalltitë.

Në futboll ka gjithmonë presion. Në Kombëtare presioni është më i lartë. Futbolli nuk të jep shumë kohë. Duhet të marrim sa më shumë pikë. Letonia ka mundur Andorrën dhe është ndeshje e rëndësishme. Është një kombëtare më me shumë eksperiencë se ajo e dy viteve më parë.

Letonia është një ekip fizik dhe mund të luajnë me skema të ndryshme. Është një ekip që luan një futboll të kodifikuar. Kanë një metodë si e vendosin ekipin. Është një ndeshje e vështirë, por shumë e rëndësishme.”

Për Gjimshtin varet se kush do e zëvendësojë. Duhet të kishim më shumë kohë për të vendosur për zgjedhjen. Adrian Bajrami ka qenë lojtar që ka qenë nga moshat. Te Benfica ka filluar të luajë më shumë. Luan me këmbën e majtë. Në të ardhmen është opsion shumë i mirë. Do të jetë në listën e 23 lojtarëve. Mitaj i jep ekuilibër skuadrës. Në Kombëtare nuk ka kohë për shumë eksperimente. Bën shumë mirë te ne dhe te klubi ku luan. Për momentin do të vazhdojë në këtë pozicion.”– tha ai.

 

sfidanti.al