Chivu “shpëton” Asllanin

Me emërimin e rumunit Christian Chivu në krye të stolit të Inter, situata edhe në drejtim të tregut të transferimeve do të marrë sigurisht një tjetër trajektore. Ndër lojtarët zikaltër që ende nuk e kanë të sigurtë të ardhmen e tyre tek klubi milanez është padyshim edhe mesfushori i kombëtares tone Kristjan Asllani.

Kjo verë do të jetë vendimtare për karrierën e mesfushorit kuqezi, Kristjan Asllani. Futbollisti është në një udhëkryq me Interin pasi duhet të vendosë nëse të vazhdojë të qëndrojë pjesë e klubit parimisht si zëvendësues, apo të kërkojë një rol protagonisti në një skuadër tjetër.

Sipas ”Tuttosport”, situata ka marrë një kthesë tjetër që kur nga drejtimi i skuadrës u largua Simone Inzagi. Emërimi i Christian Chivu ka bërë që Asllani të mendojë më shumë qëndrimin për të luajtur shanset e veta për hapësira në formacionin e klubit zikaltër, i cili po bëhet gati për një ndërrim brezash duke u besuar më shumë të rinjve.

Mbetet të shihet strategjia që do të përshtatë Interi, por duket se zikaltrit nuk kanë luksin të bëjnë lëvizje të mëdha për të tronditur ekipin që mori një goditje të rëndë në finalen e Ligës së Kampioneve e  më pas me largimin e Inzagit. Çdo vendim për merkaton do të merret vetëm pas përfundimit të Botërorit të Klubeve.

sfidanti.al