Superkupa vishet e kuqe, Egnatia nuk ia del

Sfida tradicionale që ka vënë përballë njëra-tjetrës “kampionen” në fuqi, Partizanin, dhe fituesen e Kupës së Shqipërisë, Egnatian, ajo e Superkupës së Shqipërisë, është zhvilluar të enjten në mbrëmje në Stadiumin “Arena Kombëtare” të kryeqytetit. Në fakt, pjesa e parë ka qenë e luftuar, me një epërsi të lehtë të rrogozhinasve, të cilët shpërdorojnë me anë të Paulauskasit në minutën e 9-të, ndërsa në vijim të dyja skuadra e synojnë me radhë portën e njëra-tjetrës, me Carën, Isgandarlinë, Bintsukën, Spahiun dhe Zejnullain, por pa e patur saktësinë e duhur në finalizim dhe pa e gjetur dot rrugën e rrjetës. Dhe, sikundër ndodh në të tilla sfida, është dashur një gabim për të ndryshuar rrjedhën e lojës.

Janë të kuqtë e kryeqytetit që kalojnë në epërsi, teksa në minutën e 38-të, Rrapaj, ka përfituar nga një gabim i pafalshëm i portierit shkodran të rrogozhinasve, Alen Sherrit dhe ka gjetur rrugën e rrjetës. Me epërsinë minimale të Partizanit do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa ajo e dyta do të nisë përgjithësisht e barazpeshuar dhe momenti më vendimtar do të jetë minuta e 67-të, kur Spahiu do të rrëzohet brenda zonës, pas një ndërhyrjeje të Hadrojit dhe, megjithëse kryesori Jorgi vazhdon lojën, kur ajo do të ndalet dhe pas një vonese prej disa minutash, ai do të thirret pranë monitorit nga Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR).

Dhe Jorgji bën me dorë nga pika e bardhë, aty ku Fernando Madieras, në përpjekje për të goditur “alla Panenka”, shpërdoron në mënyrë të pabesueshme mundësinë e Egnatias për të barazuar shifrat. Minutat e mbetura dhe plot 8 minuta shtesë kanë qenë të ethshme, por nuk kanë sjellë gola të tjerë dhe trofeu i parë të këtij sezoni, ai i Superkupës së Shqipërisë, është fituar nga Partizani, që ka mposhtur Egnatian me rezultatin 1-0. Ky ishte trofeun i 3-të i Superkupës për të kuqtë e kryeqytetit.

sfidanti.al