Kombëtarja : Sulmi i frikshëm, por ende në letër..

Kombëtarja e Shqipërisë do të zhvillojë këtë muaj dy ndeshje miqësore që do të vlejnë si parapërgatitje para nisjes së Euro 2024 në qershor. Për sfidat ndaj Kilit dhe Suedisë, Sylvinho ka ftuar në ekip 24 lojtarë, mes të cilëve edhe janë plot 9 sulmues. Sulmuesit e Kombëtares shqiptare përgjatë këtij sezoni kanë qenë në formë të mirë përgjithësisht. Përveç Jasir Asanit të cilit akoma nuk i ka nisur kampionati në Korenë e Jugut, lojtarët e tjerë të repartit të sulmit kanë gjetur rrugën e rrjetës.

Nga këta, 8 sulmues, kanë shënuar plot 67 gola. Listën e kryeson Rey Manaj i cili me Sivasspor në Turqi ka shënuar 19 të tillë, teksa Ernest Muçi (Besiktas + Legia) dhe Sokol Cikalleshi (Konyaspor) vijnë pas tij me nga 11 rrjeta të tundura. Në krahun tjetër Myrto Uzuni mban vendin e katërt me 9 gola të shënuar me fanellën e Granadës. Taulant Seferi (Bani Yas) është në kuotën e 7 golave, ndërsa prurja e re e Kombëtares, Arbër Hoxha e ka gjetur 6 herë rrugën e rrjetës këtë sezon në Kroaci, me fanellën e Slaven Belupo dhe Dinamos së Zagrebit. Më së pakti gola nga këta sulmues kanë Armando Broja dhe Arbnor Muçollli. I pari që është në pronësi të Chelseat, por i huazuar te Fulham ka shënuar 2 gola, të dy me fanellën e “Bluve të Londrës”. Ndërsa Muçolli që luan me Goteborg në Suedi gjithashtu ka shënuar 2 gola. 67 gola nga 8 lojtarë nuk mund të themi që janë pak, pasi është një mesatare 8.3 gola për lojtar.

Në pamje të parë, sulmi mund të trembë por testet me Kilin dhe Suedinë do të tregojnë realisht se a vlen vërtet ky sulm me plot 9 lojtarë që në këtë grumbullim i “ka rënë në qafë” edhe mesfushës. A do të jenë miqësoret  per Brojen dhe Manaj? Muçi do të konfirmohet në moment pozitiv? Po Cikalleshi? Të gjitha janë pikëpyetje që do t’i heqë vetëm fusha, por ndërkohë tifozët duhet ta kuptojnë që në fund të ditës, Shqipëria e ka fituar tashmë europianin e saj, me apo pa Manajn, Dakun apo Uzunin e Asanin.

 

sfidanti.al