Një mbrëmje e keqe për klubin italian Bologna, që, përveç humbjes kundër Lille në Champions League, u përball edhe me një sulm nga piratët e internetit. Sistemet informatike të klubit emilian u hakuan nga grupi RansomHub, një kolektiv i specializuar në sulme ransomware. Ky grup ka kërkuar një shpërblim duke kërcënuar publikimin online të rreth 200 GB të dhënash, përfshirë email-e dhe dokumente të ndryshme që lidhen me lojtarët dhe tifozët. Midis materialeve të vjedhura gjenden edhe screenshot-e dhe skanime të pasaportës së trajnerit Vincenzo Italiano.
Akuzat e RansomHub dhe masat e Bologna FC. Sipas raportimeve të Quotidiano Sportivo, RansomHub ka bërë një paralajmërim në platformën e tyre, duke akuzuar klubin italian Bologna për mungesë të “masave të duhura për mbrojtjen e të dhënave dhe rrjetit, prandaj të gjitha të dhënat e tyre janë vjedhur.” Grupimi pretendon gjithashtu se klubi ka shkelur rregulloren GDPR (Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave). Ky model kërcënimi është përdorur edhe ndaj viktimave të tjera në të kaluarën. Ndërkohë, faqja e RansomHub ka hequr pretendimin për sulmin, ndoshta për shkak të vendimit të Bologna FC për të raportuar ngjarjen tek autoritetet kompetente. Klubi ka njoftuar Garante della Privacy, autoriteti italian për mbrojtjen e të dhënave personale, i cili është informuar për situatën.
Deklarata zyrtare e klubit
Klubi i Bologna ka konfirmuar ngjarjen përmes një deklarate zyrtare: “Shoqëria Bologna Football Club 1909 S.p.a. njofton se sistemet e saj të sigurisë janë bërë së fundmi objekt i një sulmi informatik të tipit ransomware, në një server cloud dhe në perimetrin e brendshëm. Ky akt kriminal ka rezultuar në vjedhjen e të dhënave të kompanisë, të cilat mund të publikohen. Çdokush që zotëron këto të dhëna paralajmërohet që të mos i publikojë, shpërndajë ose përdorë në asnjë mënyrë, pasi ato janë të marrë përmes një vepre penale.” Sulmi kibernetik ka ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë e të dhënave personale në sport, duke përfshirë lojtarët, tifozët dhe stafin e klubeve.
sfidanti.al