Rrapaj në Ukrainë, mesfushori pritet të largohet nga Partizani

Partizani pritet të humbasë në janar dy futbollistë dhe lajmi I fundit është që nga klubi kryeqytetas do të largohet edhe mesfushori sulmues, Arinaldo Rrapaj. Lojtari I rëndësishëm 23-vjeçar mësohet se do të kalojë në Premier Ligën e Ukrainës, ku do të luajë për ekipin Kolos Kovalivka, që mban vendin e 12-të ndër 16 skuadra në elitë. Pritet që të kuqtë të fitojnë 600 000 euro për kartonin e tij, dhe që po ashtu kanë arritur të mbajnë 20 për qind të kartonit. Në rast se Rrapaj do të transferohet nga ukrainasit, presidenti Demi do të merrte pjesën e tij. Po flasim për një futbollist të rëndësishëm, që ka luajtur më parë për Flamurtarin dhe Skënderbeun, e që nga viti 2021 është tek Partizani. Në karrierën e tij në Superligë ka mbi 230 ndeshje, 22 gola dhe 27 asistë, si dhe ka qenë dy herë pjesë e kombëtares. Në dhjetor 2023, Rrapaj u shpall lojtari I vitit në Shqipëri. Bashkë me të largohet edhe mbrojtësi I djathtë, Andi Hadroj, 25 vjeç, I cili shkon tek skuadra Polisia e Zhitomirit gjithashtu në Premier Ligën e Ukrainës, kundrejt 150 000 eurove dhe 20 për qind të kartonit të mbajtur nga Partizani.

sfidanti.al