Trajneri i Serbisë, Dragan Stojkoviç, e nisi me nervozizëm konferencën pas barazimit pa gola ndaj Shqipërisë. Ai nuk e priti mirë një pyetje të gazetarit serb, i cili i tha se nuk i pëlqeu loja.
Ndër të tjera, ai përgëzoi tifozët shqiptarë dhe theksoi se pret të njëjtën sjellje edhe në Serbi.
Duke analizuar ndeshjen, Stojkoviç u shpreh se ekipi i tij duhet të rregullojë konkretizimin dhe të shfrytëzojë rastet për gol.
“Nuk ju pëlqeu loja? Atëherë gjeni një tjetër trajner! Atmosfera ishte fantastike. I përgëzoj tifozët shqiptarë për këtë. Do të doja që edhe ne të kishim një atmosferë të tillë.
Duhet të përmirësojmë konkretizimin. Kishim disa raste të mira që mund të kishin përfunduar në rrjetë. Ishte një ndeshje shumë e vështirë në transfertë, ndaj Shqipërisë në Tiranë. Kontrolluam lojën dhe posedimin e topit, arritëm ta neutralizojmë energjinë e tyre dhe i detyruam të jenë më të kujdesshëm sepse panë që nuk mund të na përballonin në atë aspekt. Ishim të angazhuar, vrapuam shumë dhe dhamë maksimumin.
Të gjitha ndeshjet do të jenë të vështira. Duhet të tregojmë cilësinë tonë. Ky barazim në Tiranë duhet të përkthehet në tre pikë kundër Andorrës. Nesër do të analizojmë ndeshjen Andorrë – Angli. Rezultati 0:1 më habiti, sepse diferenca në cilësi është e madhe.
Penalltia ishte një moment pakujdesie, një gjest që thjesht ndodh. Edhe po të na shënonin, ne do të sulmonim me gjithçka për të fituar. Nuk e pashë kur u ekzekutua penalltia. Por nëse portieri vazhdon të mbrojë kështu, nuk do të kemi probleme. E ka merituar të jetë aty dhe të luajë titullar. Vetëbesimi i tij është për t’u admiruar.
Njerëzit duhet të kuptojnë përkushtimin që tregojnë lojtarët tanë. Duhet t’i mbështesim që të arrijnë objektivin për të cilin po luftojnë”, u shpreh Stojkoviç.
Për Serbinë, kjo ishte ndeshja e parë në këto kualifikuese dhe mban vendin e katërt me vetëm një pikë.
sfidanti.al