Një klub i madh di të manovrojë, edhe pse Juventusi këto kohë sikur e ka humbur toruan nga ana financiare. Qindra milionë euro “në të kuqe” çdo sezon sikur nuk janë në traditën e një klubi “esnaf”, por gjithsesi kjo nuk e ka penguar që të marrë lojtarë të rëndësishëm. Edhe pse u larguan De Ligti, Dibala, Kielini, Morata apo Zakaria, erdhën të tillë si Di Maria, Pogba, më herët Vlahoviç, Bremer, Kostiç, Milik, Paredes, ndërsa u paguan 42.5 milionë euro për kartonin e Kiezës. Këtë ka parasysh Luçiano Spaleti, trajneri i Napolit, kur thumbon Masimiliano Alegrin e Juventusit. “Nëse nuk fiton me kaq shumë shpenzime, do të thotë se diçka nuk shkon, – shprehet ai, – mendoj se (Alegrit) i intereson të maskohet, por është e kotë. Unë nuk jam më i miri sepse vlejnë rezultatet. Ai ka fituar më shumë. Tek Juventusi, investimet sjellin fryte. Unë jam një tjetër lloj trajneri, duhet ende të mësoj”.
Sfidanti.al