Skocia shkon nga humbja në humbje, shpresë për Shqipërinë

Natyrisht ndeshjet fitohen me meritën tënde, por edhe “bashkëpunimi” i kundërshtarit nuk është për t’u hedhur poshtë. Shqipëria luan të hënën në fushën e Skocisë, në sfidën e dytë të Ligës së Kombeve, me mendimin se mund t’ia dalë. Jo vetëm sepse mundi 1-0 Izraelin, por sidomos pasi ndoqi se çfarë “dajaku” hëngrën skocezët nga Belgjika në “Hampden Park”.

Vendimi i papritur për të pasur një miqësore “të hekurt” përpara Shqipërisë, ndoshta i bëri keq britanikëve të veriut, që u shkatërruan 0-4 nga medalistët e bronzit në Botëror. Lukaku, Hazard he dy herë Baçuai ishin autorët e golave, në prani të një publiku që nuk e kishte mbushur plot stadiumin e dëgjuar.

“Edhe Skocia më e mirë e të gjitha kohëve do ta kishte pasur të vështirë përballë kësaj Belgjike”, – tha trajneri Aleks Meklish, që ka humbur 4 nga 5 ndeshjet, prej kohës kur u kthye për së dyti në stolin e përfaqësueses. Skocia ka shënuar vetëm 1 gol, që pas barazimit 2-2 ndaj Sllovakisë, rezultat që solli shkarkimin e ish-trajnerit Gordon Strahan.

Sfidanti.al