Shqipëria, barazim i artë në Pragë, Bajrami fantastik!

Barazim spektakolar i Shqipërisë në Pragë përballë Republikës Çeke. Ndeshja e luajtur në Pragë për llogari të grupit E të fushatës eleminatore të Euro 2024 është mbyllur në shifrat 1-1. Pas pjesës së parë të përgjumur, sfida u ndez në të dytën.

Vendasit e nisën me presion të lartë duke gjetur rrugën e rrjetës 15 minuta pas rikthimit në fushën e lojës por frymëzues për Shqipërinë ishte mesfushori Nedim Bajrami që me një supergol në minutën e 66 ndezi festën kuqezi në stadiumin e Pragës. Mijëra shqiptarë në shkallë shpërthyen në momentin e realizimit fantastik të mesfushorit shqiptar i cili me një të djathtë kirurgjikale nuk i dha asnjë mundësi reagimi portierit çek.

Fillimisht Shqipëria ngriti murin duke arritur të minimizonte forcën e Republikës Çeke. Pjesa e parë në “Fortuna Arena” u mbyll me rrjeta të paprekura ku vendasit u zgjuan vetëm në minutat e fundit, ndërsa kuqezinjtë treguan karakter madje rrezikuan në dy raste me Sokol Cikalleshin por vetëm kaq.

Në krahun tjetër, Soucek në minutën e 12 dha shkëndijën e parë për skuadrën vendase ndërsa pas minutës së 30 Çekia e rriti presionin duke krijuar më shumë volum por pa raste konkrete që mund të shqetësonin Berishën. Ndeshja ndryshoi si me magji në të dytën ku sulmet nga të gjitha frontet e shtypën ekipin kuqezi dhe e detyruan të gabonte si në rastin e golit të parë që u anulua por pak çaste më vonë Soucek ndëshkoi Shqipërinë me një finalizim të saktë pas një aksioni që nxorri në pah limitet e mbrojtjes.
Gjithsesi, perla e Bajramit në të 66-ën ishte momenti që shqiptarët do ta mbajnë mend gjatë ndërsa minutat deri në fund mund të kishin dhuruar një gol tjetër nese mesfushori i Fiorentinës do të ishte treguar i saktë në pasim.
Me këtë barazim që Shqipëria arriti ta ruante me fanatizëm deri në fund, ngjitet në kuotën e 7 pikëve dhe ruan pozitat në vendin e dytë të klasifikimit, pavarësisht fitores së Polonisë me Ishujt Faroe. Gripin e kryeson Çekia me 8 pikë ndërsa të dielën në “Arenën Kombëtare” Shqipëria do të luajë një finale tjetër, atë me Poloninë në orën 20:45.
Sfidanti.al