Sergio Ramos në ndjekje të rekordeve me kombëtaren e Spanjës

Është një nga fituesit më të mëdhenj të këtij sporti, dhe një nga më të lavdishmit edhe duke mos qenë sulmues. Sergio Ramos, “dryni” i kombëtares spanjolle do të përpiqet të barazojë dy rekorde në ndeshjen e sotme ndaj Ishujve Faroe, në eleminatoret e Europianit (ora 20:45). Kapiteni i “furive të kuqe”, nëse shënon, do të barazojë argjentinasin Daniel Pasarela, si mbrojtësi që ka shënuar më shumë gola për ekipin kombëtar. Ish-kapiteni i Argjentinës ka 22, kapiteni i sotëm i Spanjës, 21.

Ramos është pranë barazimit të një rekordi kombëtar, atij të Iker Kasijasit, si lojtari me më shumë ndeshje me ekipin e tij përfaqësues. Sonte mund të luajë sfidën numër 167, po aq sa ish-kapiteni dhe ish-portieri. Në këtë mënyrë, qendërmbrojtësi do të jetë vetëm 9 ndeshje larg rekordit europian që e mban Xhixhi Bufon i Italisë, dhe 17 larg rekordit botëror që e ka egjiptiani Ahmed Hasan. Gjithsesi, Ramosi e ka një rekord, madje shumë të madh, është lojtari që ka arritur më shumë fitore me kombëtaren, 124, që kur nisën ndeshje të tilla me duelin Skoci-Angli në 30 nëntor 1872.

Sfidanti.al