Ishte një vendim vërtet i jashtëzakonshëm. Ndërsa në Europë publiku është lënë jashtë stadiumeve, e mjaft kampionate janë anuluar si në Francë, Holandë apo Belgjikë, në Serbi ekziston një realitet tjetër. Derbi i Beogradit, mes Partizanit e Crvena Zvezdës, habiti kontinentin pasi në ish-stadiumin e Ushtrisë Popullore Jugosllave u hapën dyert për tifozët.
Një vendim i guximshëm, një sfidë e vërtetë ndaj epidemisë së koronavirusit që në Serbi nuk ka kaluar ende, dhe diçka që mund të ketë edhe pasoja. Televizioni N1 i Beogradit raportoi se në stadium pati 20 000 tifozë, nga të cilët ishin 15 000 me bileta, dhe 5 000 të abonuar vjetorë. Një numër kaq i madh njerëzish, në një stadium me rreth 30 000 vende, as nuk mund të krijonte mundësi për distancim fizik, ndaj rreziku pas ndeshjes mund të jetë i lartë për rritje të rasteve pozitive.
Gjithsesi, gjysmëfinalja e Kupës u luajt, dhe Partizani fitoi minimalisht 1-0, por në mënyrë të merituar, falë golit të shënuar nga Umar Sadik. Një sukses kuptimplotë sepse ishte derbi numër 200 mes dy skuadrave beogradase, në çdo lloj gare. Çfarë pritet të ndodhë më pas?
Specialistët epidemiologë deklarojnë se virusi ende është i rrezikshëm në Serbi, edhe pse më i dobësuar në krahasim me fillimin, ndërsa duhet pritur edhe 2 javë për të deklaruar fitore ndaj tij. Numri i të sëmurëve është rritur ditët e fundit, ashtu si në Shqipëri apo Maqedoninë e Veriut, ndonëse duhet theksuar se autoritetet serbe bëjnë 4-5 000 testime në ditë, shumë herë më tepër sesa tek ne.
Mediat serbe, ndërkaq, shpallën triumfin. “Serbëve nuk u bën dot gjë korona, – ishte titulli në kërkim të klikimeve, i të përditshmes mjaft serioze beogradase, “Danas”, – stadiumet në gjithë Europën janë të mbyllur, shumë liga janë në pension, ndërsa në Humskoj luhet derbi përpara 25 000 tifozëve”. Sidoqoftë, “Danasi” dhe gazeta të tjera nënvizuan se duhet pritur disa ditë për të parë pasojat, ndërsa shpresohet që koronavirusi të mos godasë fuqishëm për faj të futbollit.
Sfidanti.al