Strakosha mbi Nojerin, mosha e re dakord, por shqiptari është edhe “merimangë”!

Nuk është një risi, dhe lavdërimet kanë qenë të shumta. Gjithsesi, është më bukur kur vlerësimin për Tomas Strakoshën e bën Observatori i shquar i futbollit, me inicialet CIES. Në bazë të një analize mjaft profesionale, ku llogaritet aftësia e lojtarit, kampionati ku luan dhe mosha, portieri i kombëtares shqiptare renditet mbi kapitenin e Bajernit dhe të Gjermanisë, Manuel Nojerin.

Kartoni i gardianit të Lacios arrin në 23 milionë euro, ndërsa ai i legjendës gjermane shkon deri në 19.1 milionë. Kuptohet që Nojeri penalizohet jo pak nga mosha e tij 34-vjeçare, diçka që ndikoi edhe tek superyjet e futbollit botëror si Lionel Mesi e Kristiano Ronaldo.

Strakosha është i krahasueshëm me të tillë si Gulashi i Lajpcigut, Golini i Atalantës apo Bernd Leno i Arsenalit. Shqiptari 25-vjeçar luan prej vitesh me Lacion në Serinë A, dhe besohet se do të rinovojë kontratën për të vazhduar karrierën në klubin kryeqytetas.

Sipas Observatorit të Futbollit, portieri me karton me vlerë më të madhe në botë është Ederson i Mançester Sitit, që arrin në 86.8 milionë euro, ndërsa është 26 vjeç. Në vend të dytë është braziliani tjetër, Alison i Liverpulit, dhe kartoni i 27-vjeçarit arrin në 84.2 milionë euro, duke lënë pas Kepën e Çelsit, Oblakun e Atletikos së Madridit dhe Ter Shtegenin e Barcelonës.

Sfidanti.al