Sançez tek Junajtid, një histori e errët mbi 200 milionë euroshe

Aleksis Sançez duhej të shkonte tek Mançester Siti. Ishte i vjetër interesimi dhe po ashtu të vjetra edhe bisedimet. Verën e kaluar u ra dakord mes Sitit e Arsenalit për gjithçka, por pamundësia për të marrë Tomas Lemarin nga Monako bëri që londinezët të ndryshonin mendje. Në gusht u tha “Stop”! Erdhi janari dhe sërish ishte sekret i hapur që Sançez do të shkonte në stadiumin “Etihad” dhe ndoshta Guardiola do të duhej të paguante 30 milionë stërlina, rreth 35 milionë euro.

Papritur në lojë hyri Junajtidi me një paketë shumë të shtrenjtë dhe gjithçka ndryshoi. Përse? Sepse në futbollin e sotëm ligjin e bëjnë agjentët e lojtarëve, sidomos kur kontrata është pranë përfundimit. Ata nisën të bënin kërkesa të tjera, të padëgjuara nga Siti, si rroga mbi 30 milionë euro në vit, një pagesë për Sançezin prej 25 milionë eurosh vetëm për pranimin e transferimit, mbi 18 milionë euro për agjentin e tij dhe mbi 35 milionë euro për Arsenalin.

Siti nuk i pranoi këto kërkesa që do të dëmtonin harmoninë në skuadër, duke pasur parasysh edhe moshën 29-vjeçare të sulmuesit. Përfundimisht, ishte Junajtid që kishte më shumë nevojë për Sançezin sesa klubi tjetër i Mançesterit dhe gjërat shkuan në mënyrën e natyrshme, por duke treguar prapaskenat e futbollit të sotëm.

Sfidanti.al