Ole Gunar Solskjer tashmë është i larguar dhe thuhet se ndikim pati pakënaqësia e portugezit e shprehur nëpërmjet agjentit të tij, Zhorge Mendes. Gjithsesi, norvegjezi nuk është trajneri i parë i “marrë në qafë” nga Kristiano Ronaldo. Që kur u largua nga Reali, për të nisi një “malore” me drejtuesit e stolit. Tek Juventusi, Masimiliano Alegri nuk e honepsi sezonin e parë (2018-2019) dhe deshi ta largonte, por drejtuesit larguan trajnerin. Ronaldo gjithashtu nuk shkoi mirë me Mauricio Sarrin, ndërsa nuk i “ndezi” as me Andrea Pirlon. Rikthimi i Alegrit përkoi me momentin kur vetë CR7 donte të largohej nga Juventusi dhe kështu ndodhi. Gjithsesi, pa kaluar mirë 3 muaj, një tjetër trajneri “iu pre koka”, ndërsa kishte Kristianon në ekip. Solskjer u shkarkua nga drejtuesit e Mançester Junajtidit, ndërsa mediat angleze shkruajnë se pavarësisht se portugezi ende e ka magjinë për të fituar ndeshjet, ndoshta ndikimi i tij i fuqishëm në dhomën e zhveshjes e bën shumë të vështirë punën e trajnerit.
Sfidanti.al