Sa e bukur Belgjika, por sa mund të shëmtohet pa Hazarin?!

Prova e fundit para botërorit, ajo ndaj Kosta Rikës, ishte pikërisht ajo që prisnin të gjithë nga Belgjika. Skuadra flamando-valonase i qendroi besnike stilit të saj sulmues, të futbollit tërheqës dhe të spektaklit pa ndërprerje, duke fituar 4-1, por duke mos zhdukur çdo dyshim. Amerikanoqendrorët kaluan të parët në epërsi me anë të Brajan Ruizit, ndërsa trajneri Martinez u shqetësua shumë më tepër me atë që ndodhi në minutën e 70-të.

Eden Hazar mori një goditje dhe doli i lënduar nga fusha e lojës. Hazar, ashtu si De Brujni, cilësohet lojtari kryesor i skuadrës dhe Belgjika pa të, nuk është e njëjta si me të. Sa rrezikon supertalenti i Çelsit? Ndoshta, vetëm një goditje të fortë në këmbë, shpresohet jo më shumë se kaq.

Trajneri belg ka edhe një shqetësim tjetër, Kevin De Brujnin. Ylli i Mançester Sitit është vendosur shumë më prapa sulmit sesa ndodh me Guardiolën, dhe kjo ndikon që loja e tij të mos jetë po ajo si në Premier Ligë. Vetë De Brujn nuk është i kënaqur me skemën 3-4-3 që përdor Martinezi.

Belgjika megjithatë është një “magazinë” e vërtetë talenti, me Kurtuanë, Alderveireldin, Vertongenin, Munierin, De Brujnin, Karraskonë, Mertensin, Baçuain, Lukakun, Hazarin apo Dembelenë (të mos harrojmë as Felainin e Januzajn). Ndaj Kosta Rikës, golat u shënuan nga Mertens, dy herë Lukaku dhe Baçuai.

Sfidanti.al