Mediat perëndimore nuk pushuan së kritikuari “me lezet” Mohamed Salahun për faktin se ai pranoi të shoqërohej dhe të dilte në fotografi me kreun e Çeçenisë, Ramazan Kadirov. Ishte vetë, numri 1 i republikës autonome brenda Federatës Ruse, që shkoi në hotelin ku ishte vendosur Egjipti, në Grozni, dhe kërkoi takim me futbollistin.
Kadirov, natyrisht, veproi me arrogancë duke mos i treguar që më parë Salahut se kush po e priste në holl, dhe duke shkelur në një farë mënyre regjimin e grumbullimit të kombëtares, veçse zhurma mbi “veprimin e tmerrshëm” të tij ndaj Salahut duket pak e ekzagjeruar. “Salah u përdor politikisht nga miku i Putinit”, – shkruajtën të gjitha mediat britanike, ato që për momentin e kanë më shumë “xhan” presidentin rus.
Natyrisht, mediat britanike nuk e patën problem që përfaqësues të familjes mbretërore takuan kombëtaren e Anglisë përpara nisjes për në Botëror, apo që presidentët e SHBA-së presin kampionët e sporteve në Shtëpinë e Bardhë. Sa për të krahasuar Çeçeninë me Britaninë apo Amerikën, kjo nuk besohet se është punë e gazetarëve, por ekskluzivisht e historianëve.
Duket se “lufta e re e ftohtë” mes Perëndimit dhe Rusisë po prek çdo ditë Kupën e Botës, duke kërkuar material “me qiri”. Vetë Salah nuk është se u duk shumë i shqetësuar nga fotot me Kadirovin.
Sfidanti.al