Ish-trajneri i kombëtares italiane, Roberto Mancini, ka dhënë një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, ku ka folur rreth një rikthimi të mundshëm në pankinën e Italisë. Këto ishin fjalët e tij: “Është e drejtë të thuhet që nëse unë dhe Gravina (presidenti i federatës) do të kishim folur më shumë ato javë, edhe më parë, për t’i sqaruar disa situata, nuk do të kishte ndodhur asgjë. Sidoqoftë, ndonjëherë merren edhe vendime të gabuara. Pse? Është e vërtetë që nuk ndjeja më atë besimin e dikurshëm, por duhet të flisja me presidentin. Duhet ta bëja, ky është faji im. Sot, kush e di, ndoshta do të ishim ende bashkë; duke tentuar kualifikimin në Botëror. Dhe ndoshta, pasi fituam Europianin, duke provuar të bënim dopietë”.
Mancini më pas la të kuptohej se është i gatshëm të rikthehet: “Pse do të kthehesha si trajner i Italisë? Sepse për një trajner nuk ka asgjë më të bukur sesa të drejtojë kombëtaren. Kam fituar me klubet, por kur fiton me Italinë është diçka tjetër. Pastaj, në jetë, gjithmonë synon të kthehesh aty ku ke qenë i lumtur. Në ‘Coverciano’ isha shumë mirë, me të gjithë. Kishte një atmosferë shumë të mirë.
Moment me rrezik në kombëtare? Do të ishte një sfidë e bukur, s’ka dyshim. Edhe një rrezik i bukur, po. Ndonjëherë duhet të marrësh përsipër ndonjë rrezik, apo jo?” Pastaj shtoi: “Sot nuk e di çfarë do të ndodhë dhe nuk është momenti për të hyrë në disa diskutime. Që kam bërë zgjedhjen e gabuar duke u larguar nga Italia dhe nuk do ta bëja më, këtë e kam thënë muaj më parë, jo tani në ditët e fundit. E kam pranuar kur askush s’e priste.
Pajtim me Gravina? Nuk mendoj se do të ishte problem. Jemi takuar, kemi folur, presidenti e di që në jetë bëhen edhe gabime. Të jemi kuptuar për këtë është gjëja më e rëndësishme, pavarësisht se çfarë do të ndodhë. A e kam kontaktuar? Jo këto ditët e fundit, por nuk ka kaluar shumë që kur kemi folur”.
sfidanti.al