“Ndjehem pak më mirë, të paktën kështu shpresoj. Sigurisht ditët janë të gjata kur je në pozita të tilla, por mendoj që me hapa të vegjël, pa u nxituar, mendoj që çdo gjë do shkojë drejt normalizimit”. Kështu e ka nisur intervistën e tij trajneri i Egnatias, Edlir Tetova për “Super Gol” në RTSH pas rikthimit në pankinë dy javë nga momenti kur iu desh të shtrohej në spital dhe të bënte një ndërhyrje në zemër. “Dua të përshëndes të gjithë kolegët, të gjithë presidentët e klubeve pa përjashtim, presidentin e Federatës që më kanë qëndruar pranë në ato ditë pak të vështira”.
Duke iu rikthyer ndeshjes, Tetova theksoi: Mendoj se është vetëm ndeshja e dytë me Dinamon, sigurisht kishim një qasje tjetër sot. Kishim përdorur një manovër, duke u nisur nga ndeshja e kaluar, na ka ardhur një kundër një. Siç e patë edhe ju, lamë vetëm dy qendërmbrojtës dhe krijuam hapësirë 25 metra mes tyre dhe pjesës tjetër të ekipit dhe mendoj që e punuam mirë”. “Shpresojmë që në vazhdim të kemi akoma rrugëdalje të kësaj skeme, se hyn te ajo që unë dua të përdor me ekipin. Por sa i përket lojës, nuk është se 100% e merituam këtë fitore”. “Sigurisht kishim probleme në anën e fortë të markimit ku Dinamo na ushtroi presion në mbajtjen e topit dhe na ngjesh në gjysmëfushë, gjë që nuk është normale për ekipin tim. Por i duhen dhënë merita kundërshtarit te kjo pjesë. Po them që kemi qenë pak me fat”.
sfidanti.al

