Pas fitores së vështirë, por shumë të rëndësishme 3-2 në transfertë ndaj Metz-it, Paris Saint-Germain ka ndryshuar menjëherë kontinent. Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:30, skuadra pariziene ka zbarkuar në Doha, ku të mërkurën do të përballet me Flamengon në finalen e Kupës Interkontinentale, me synimin për të fituar trofeun e gjashtë gjatë vitit 2025.
Një udhëtim i gjatë prej rreth 13 orësh fluturim, i organizuar në çdo detaj, për një PSG që po përballet me një kalendar tepër të ngjeshur. Prioriteti kryesor pas mbërritjes në Katar është rikuperimi fizik i lojtarëve, edhe pse klubi duhet të përmbushë edhe angazhime institucionale të FIFA-s si dhe aktivitete marketingu me sponsorë kryesorë.
Skuadra e drejtuar nga Luis Enrique do të zhvillojë dy seanca stërvitore, të hënën dhe të martën, ku kjo e fundit do të jetë e hapur për mediet për 15 minuta. Pas saj është planifikuar edhe një zonë miks me disa futbollistë. Finalja do të luhet në “Ahmad bin Ali Stadium”, i njohur si stadiumi i Al-Rayyan, një impiant modern dhe i klimatizuar, që do të garantojë kushte optimale pavarësisht temperaturave rreth 23 gradë dhe mundësisë për reshje shiu.
Paralelisht me përgatitjet sportive, PSG ka inauguruar edhe “Ici c’est Paris Park by Qatar Airways”, një hapësirë e përkohshme e hapur falas nga 14 deri më 17 dhjetor, e dedikuar tifozëve dhe familjeve, me aktivitete interaktive, muzikë dhe ekspozim trofesh. Nuk përjashtohet edhe prania e shkurtër e disa lojtarëve. Sa i përket formacionit, Luis Enrique synon të zbresë në fushë me skuadrën më të mirë të mundshme. Lucas Chevalier mund të rikthehet titullar pas problemeve me kyçin e këmbës, Senny Mayulu do t’i bashkohet grupit të hënën, ndërsa Marquinhos është i grumbulluar, por aktivizimi i tij do të menaxhohet për shkak të një lodhjeje në ije. Pas finales, PSG do të kthehet menjëherë në Francë për ndeshjen e 1/32-ave të Kupës së Francës ndaj Vendée-Fontenay, duke mbyllur një fundvit intensiv dhe pa shumë hapësirë për pushim.
sfidanti.al

