Kampionati kombëtar i basketbollit të meshkujve ka zhvilluar pesë ndeshje të vlefshme për javën e nëntë të sezonit të rregullt.Një prej sfidave më të nxehta të kësaj jave ishte takimi Kamza-Tirana, i luajtur mbrëmjen e së shtunës në palestrën “Halit Coka” në Bathore. Një ndeshje shumë e luftuar nga të dyja ekipet, e mbyllur me fitoren e bardhebluve me rezultatin 90-97 (18-26, 25-21, 19-26, 28-24), sukses që e ngjit momentalisht ekipin e Erkand Karajit në vendin e parë.
Por, rivalitetin e lartë sportiv dhe verdiktin e parketit e nxori në plan të dytë një incident i ndodhur pas ndeshjes, që kishte për protagonistë basketbollistin e Kamzës, Xhersido Hajdarin dhe arbitrin e dytë të takimit, Ani Balliun.
Qendra e Kamzës, Xhersido Hajdari u largua në fillimin e periodës së dytë me teknikë përjashtimi. Një vendim i kontestuar fort nga lojtari, i cili nuk ka arritur që t’i mbajë dot nervat. “Panorama Sport” mëson nga burime të sigurta, se pas ndeshjes, teksa gjyqtarët po largoheshin nga palestra, Hajdari ka shpërthyer në ofendime në drejtim të arbitrit Ani Balliu, të cilin e ka sulmuar edhe fizikisht, duke e goditur. Një skenë e shëmtuar që nuk ka asnjë lidhje me sportin, e ndodhur e gjitha në prani të zyrtarëve të Federatës Shqiptare të Basketbollit. Pa u futur në detajet e vendimit të gjyqtarit në përjashtimin e basketbollistit të Kamzës, qoftë i saktë apo i gabuar vendimi, kjo nuk e justifikon aspak veprimin e shëmtuar. Kujtojmë që ky nuk është rasti i parë që arbitrat përfundojnë në qendër të sulmeve verbale dhe fizike, situata që kanë sjellë edhe largimin e shumë gjyqtarëve, të cilët kanë dorëzuar bilbilin, duke zgjedhur rrugë të tjera, apo edhe duke u larguar fare nga Shqipëria. Kujtojmë që Balliu vetëm pak kohë më parë mori edhe stemën e arbitrit ndërkombëtar të FIBA-s.
sfidanti.al

