Një kalendar kaq i ngjeshur dihej se do të ishte i vështirë për t’u përballuar. Reali humbi “topin e parë të ndeshjes” (match ball) në fushën e Valencias duke shpërdoruar takimin e parë më shumë që kishte për të luajtur në krahasim me Barcelonën. Skuadra e Zidanit u mund 1-2 dhe mbeti vetëm 1 pikë përpara katalanasve, ndonëse e ka edhe një tjetër sfidë për ta luajtur, atë në fushën e Seltës së Vigos.
Edhe pse në fushë ishin yje si Kejlor Navas, Sergio Ramos, Varan, Marselo, Kros, Modriç, Benzema apo Ronaldo, sërish Madridi e pa veten në vështirësi. Sulmuesi italian, Zaza, shënoi një gol të madh që në minutën e katërt, pastaj Orejana dyfishoi shifrat pesë minuta më vonë, dhe nuk ndryshoi gjë rrjeta e Kristiano Ronaldos në minutën e parafundit të pjesës së parë.
Presioni i madrilenëve ishte i madh dhe e vërteta ishte që Reali bëri më shumë lojën, por Valencia shënoi golat, por gjithsesi për një skuadër në krizë si ajo vendase, ky rezultat është plotësisht i merituar. Edhe një herë tjetër stadiumi “Mestaja” u tregua i kobshëm për “merengesit”, ndërsa të dyja skuadrat pretenduan nga një penallti. Reali mbeti me 52 pikë në renditje me 22 ndeshje, Barcelona ka 51 me 23 të luajtura.
Sfidanti.al