Reagimi i Tifozave Kuq e Zi: Koha mund të jetë e maskarenjve, por Atdheu mbetet i Shqiptarëve

Pas një serie pengesash dhe vështirësish të krijuara para dhe gjatë ndeshjes në Riga, Tifoza Kuq e Zi nxjerrin në dritë trajtimin e papranueshëm që pësuan në hyrje të stadiumit. Me një qëndrim të fortë dhe të vendosur, ata dëshmojnë për diskriminimin e hapur dhe përpjekjet për të penguar mbështetjen e tifozëve shqiptarë në transfertë. Në vijim, reagimi i plotë i grupit të tifozëve që nuk heqin dorë nga përkrahja e paepur për kombëtaren.

“Manovrat penguese të FSHF-së vazhduan edhe dje, në Riga. Në hyrje të stadiumit, djemtë tanë u përballën me kontrolle të papara më parë në një transfertë. Steward-ët na thanë hapur: “Kemi urdhër nga federata juaj t’ju kontrollojmë hollësisht”. Me këtë rast, na ndaluan të gjitha banderolat dhe parullat që kishim me vete, edhe pse përmbanin vetëm shkrimet e zakonshme “Tifozat Kuq e Zi” dhe “TKZ on Tour”. Ato me mesazhe, sigurisht që i futëm brenda.

Kjo ishte tentativa e dytë: e para erdhi kur nuk na ndanë fare biletat që, sipas rregullores, u takojnë tifozëve vizitorë. Donin t’i linin karriget bosh për të thënë se “s’kishim tifozë”. E dimë mirë me kë kemi punë, me miqtë e shkijeve. Por le ta mbajnë mend: koha mund të jetë e maskarenjve, por Atdheu mbetet i Shqiptarëve. Shihemi përsëri së shpejti.

Tifoza Kuq e Zi

O sa mirë me qenë Shqiptar!”

sfidanti.al