Raiola do 1 milionë në javë për Halandin, sa duhen për Mbapenë?!

Jemi mësuar të merremi me klasin e tij në fushën e lojës dhe kemi bërë mirë. Sado pak mund të diskutojmë edhe për rrogën e Erling Halandit, më tepër në kuadër të raportimit të realitetit, ndërsa miliardat e krijuara nga futbolli kanë bërë që rreth këtij “mjalti” të fluturojnë shumë “miza”. Njëra prej tyre quhet Mino Raiola, agjenti me origjinë italiane e nënshtetësi holandeze, që ka si klient pikërisht Halandin. Njeriu, të cilin dikur Sër Aleks Fergusoni e cilësoi një “thes me m…”, do të kërkojë që sulmuesi norvegjez të bëhet i pari në botë me rrogë mbi 1 milionë euro në javë! Siç e kemi thënë më parë, çështje “hunde” dhe “tangërllëku”, se ato para as Raiola dhe as Halandi, as nuk do t’i shohin ndonjëherë me sy, dhe as që do të shohin ndonjë të mirë prej tyre, përveçse ndonjë të keqeje, siç mund të jetë “t’i bjerë paraja në kokë”. Kërkesa e Raiolës është pikërisht e tillë, sipas mediave, dhe pyetja në këtë rast bëhet: Nëse Halandi merr mbi 1 milionë euro në javë, sa duhej ta kishte rrogën Kilian Mbape që është edhe më i talentuar?

Sfidanti.al