Vuajtje, fitore dhe afrim me kreun. Lacio nuk është një shaka, por një realitet në Serinë A, siç e tregoi me suksesin arritur në sekondat e fundit në fushën e Kaljarit. Në një përballje që u duk e humbur, pas golit të shënuar nga Zhovani Simeone, djali i Diego Pablo Simeones, skuadra nga kryeqyteti gjeti forca për të marrë tri pikët.
Rezultati 2-1 bëri që të ngjitej në kuotën e 36 pikëve, vetëm tri pikë larg kreut të renditjes, ndërsa bashkë me Atalantën, është ekipi që shënon më shumë gola në Serinë A. U ndihmua nga pritjet dhe nga forma e portierit Tomas Strakosha, por edhe nga fati, si dhe nga sakrificat e lojtarëve të mbrojtjes në momentet kyçe.
Në një mbrëmje të vështirë në stadiumin e ishullit të Sardenjës, Lacio shfaqi aftësinë që tregojnë skuadrat e vërteta pretendente, atë që diti të vuajë dhe të marrë pikët edhe atëherë kur nuk luan mirë.
Golat e miqve u realizuan në fund, madje atëherë kur ndeshja mund të ishte mbyllur. Në minutën e 93-të barazoi Luis Alberto, ndërsa në minutën e 9-të shtesë erdhi rrjeta e fitores shënuar nga Felipe Kaisedo. Festë e ligjshme e trajnerit Inzagi, e ndihmësve të tij dhe e gjithë lojtarëve lacialë. Kremtim i çmendur edhe për drejtorin sportiv, Igli Tare, i cili zbriti në fushë, dhe madje u përplas me një ndihmës trajner të vetin, që ishte i shqetësuar për reagimin e tifozëve vendas.
Sfidanti.al